Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Më herët e kam përplasur mëndjen në tavolinë dhe kam qenë fort i bindur se: duhet të flas, se duhet të shkruaj, madje edhe të bërtas me këtë që po shikoj, e po dëgjoj. Teuta jonë historike, është përfaqësuesja tradicionale e ngjyrave të qytetit, të atij qyteti, që nuk është lodhur së nxjerruri breza e breza basketbollistësh, me të cilët kënaqeshim, dëfreheshim dhe pse jo edhe mburreshim para të tjerëve. Ky qyteti ynë i përbashkët, ku kemi lindur dhe ku do të strehohemi përjetësisht, në vitin 1947 fitoi titullin kampion me emrin Ylli i Kuq. Në vitin 1955 përsëri kampionë, por me emrin që na gëzon të gjithëve Durrësi, me një shtojsë përpara Puna. Dhe këtu Durrësi ynë, i ka thënë mirupafshim titujve kampionë. Ndërsa për Kupën e Shqipërisë, kemi një trofe me Punën e Durrësit në vitin 1956 dhe Lokomotiva e Durrësit në vitin 1965. Më pas u bë edhe një trofe e tretë, në vitin 2019.

Në më pak se dy vite, Teuta e Durrësit u bë me një motër lozonjare, e cila lindi e fortë dhe e shëndetëshme. Kjo do të thotë që Durrësi të bëhet me dy ekipe, lufton dhe përpiqet në dy krahë, shton konkurencën në dy anë, rrit shanset për trofe në dy mundësi. A mund të më thotë ndokush, se ku është e keqja këtu? Brenda retorikës time, nxitoj të shprehem se veç të mira ka dhe duhet ta duatrokasim këtë shans historik.

Kemi dy ekipe të Durrësit. Njëri që është i qytetit, i Bashkisë së Durrësit dhe tjetri që është sipërmarrje private, i një biznesmeni të njohur me emrin Perikli (Igli) Goga. Dhe këtë e bëri jo pa qëllim. Për të kristalizuar traditën, për t’ia ngritur kryet lart Durrësit të tij dhe Durrësit tonë dhe për të përjetuar emrin e fuqishëm të klasit të Dhimitraq Gogës, që në shkrimet e mia jam i detyruar ta quaj korife dhe krenaria i basketbollit të qytetit. Përveçse ta duartrokasim këtë përpjekje të Igli Gogës, asgjë tjetër nuk na takon të bëjmë.

Kemi edhe një koiçidencë mjaft interesante. Një pallat sporti që është i qytetit, pra i shtetit,  ka emrin e të mirnjohurit, sportistit polivalent dhe idhullit të qytetarisë durrsake Ramazan Njala dhe tjetri që është privat, me emrin e basketbollistit legjendë, të një njeriu fisnik dhe plot kulturë Dhimitraq Goga. Dhe këtu shkëlqen Igli Goga, sepse nuk bëri biznes me emrin e pallatit të tij të sportit, por i bëri një nder qytetit, i bëri një nder Durrësit, i bëri një nder historisë së basketbollit të këtij Durrësit tonë, duke i vënë emrin Dhimitraq Goga. Dhe këtu sigurisht s’ka pse të ketë konstestim, pasi është një akt i lartë qytetarie, krenarinë e të cilit e shijojmë dhe e gëzojmë të gjithë.

Dhe tani paraqitet kjo situatë. Durrësi ynë lufton në superligën e basketbollit shqiptar me ekipin e Ramazan Njalës dhe me ekipin tjetër atë të Dhimitraq Gogës. Sa bukur! Çfarë mrekullie! Sa shans i bekuar dhe historik! Sa mundësi për të qenë më shumë se kurrë së bashku! Në arkivën time, kaloja në duar shumë fotografi të basketbollit. Dhe jam më se i sigurtë në bindjen, pasi e kam prekur vetë. Në dy foto dhe jo vetëm, janë krah për krah dy të mëdhenjtë tanë Dhimitraq Goga dhe Ramazan Njala. Njëra është me kostum sportiv dhe është ekipi kampion i Punës së Durrësit të vitit 1955 dhe e dyta një darkë që organizon Dhimitraq Goga në shtëpinë e tij, këtu e 40 vite të shkuara, ku kam qenë prezent. Dhe dikush që kërkon të na tregojë histori, në emër të supermegallomanisë së tij, as nuk kish lindur për këtë kohë që po shkruaj. Edhe po ti ngresh nga varri dy historikët tanë, do të lumturohen me këtë që ka ndodhur dhe do të rikthehen të kënaqur në parajsën e tyre.

Ndodhi dhe po ndodh, që të dy ekipet tona simotra, të dominojnë në basketbollin shqiptar. Teuta fitoi kupë dhe supër kupë. Mori pjesë edhe në Ligën Ballkanike. Të fuqishme edhe dy sukseset e bujshme të Goga Basket. Kampione e Shqipërisë vitin e kaluar dhe fituese e Kupës së Shqipërisë para pak ditësh. Këtë klimë që është krijuar, e kemi ëndërruar, e kemi pritur, është një dhuratë e zbritur nga qielli, por me emra konkretë: Bashkia Durrës dhe Igli Goga.

Tani të gjthë ne, para kësaj tabloje kemi shansin e madh të ndjekim dy ekipet tona: një në pallatin e shtetit në Durrës me emrin Ramazan Njala dhe një në periferi të qytetit dhe investim privat, me emrin Dhimitraq Goga. Gradualisht po krijohet derbi i Durrësit. Sa breza të Durrësit e kanë kërkuar këtë shans, por se kanë arritur. Dhe kjo i buzëqeshi brezit tonë dhe brezit pas nesh. Por jo vetëm si pronar i lapsit tim, por edhe si durrsak i lindur 70 vite të shkuara, vrapoj nga gëzimi në hapsirën e kënaqësisë, për t’iu falur Zotit për këtë të papritur që na ka dhuruar.

Por vë re me habi, përzier me çudi dhe ankth, për një kontigjent të ndërtuar keq, që e përçajnë këtë atmosferë, që kërkojnë ta përdhosin e denigrojnë këtë ëndërr, që na e cënojnë historinë e shpirtit tonë për basketbollin në kufijtë e lemerisë, që na tjetërsojnë në atë kulturë të krijuar nga vetë Dhimitraq Goga dhe Ramazan Njala.

Herë herë pozicioni i tyre është edhe racist, duke shkuar në epitete të tilla skandaloze si “bythzi”, “ca serbë”, duke përmëndur edhe fjalën “mercenarë” e ku ta di ç’gjë tjetër, duke mbetur miopë para situata të zhvillimit të ekonomisë së tregut. Ajo që të bën të vësh kujën, është mosmirënjohja edhe ndaj atyre figurave qendrore të basketbollit durrsak si Spiro Hotova, i ndarë nga jeta tragjikisht, të cilit me rastin e ditëlindjes me 2 shkurt 2020, presidenti Igli Goga bëri një gjest fisnik duke ia dedikuar trofeun e Kupës së Shqipërisë atij. Dhe ky kontigjent grindavec, përçarës dhe ku arsyeja i ka humbur, mbase në një përrua të marrëzisë së tyre, ngrejnë zërin për të provokuar skutat e errëta të fatkeqësisë së tyre.

Të dielën e 8 shkurtit 2020, ndoqëm derbin milanez, Inter – Milan. Është një derbi që bën bashkë tifozërinë e moçme të Milanit. Ndeshjet luhen nga heri në stadiumin më të madh të Italisë Giuseppe Meazza dhe kthehen në festa. Madje do të dëshiroja, që të dy ekipet e Durrësit, Teuta dhe Goga Basket të bashkohen në mjaft raste së bashku, për të rivalizuar jashtë Shqipërisë në bllok, në unitet, ashtu si dikur Ramazan Njala dhe Dhimitraq Goga. Në vitin 1925, 1940, 1965 dhe 1982, Milan dhe Inter krijuan ekipin e përbashkët Milaninter dhe luajtën ndaj një ekipi gjerman, ndaj Austrisë së Vjenës, ndaj Çelsit dhe përfaqësueses së Polonisë. Një përvojë që na e jep bota e qytetëruar, duke vendosur emrin Internacionale e Milanos, falë vëllazërimit ndërkombëtar të futbollit, duke mos përjashtuar as “bythëzitë dhe as serbët dhe as…” të kujtdo pakice, siç predikojnë mëndje përçarësit e cituar më lart.

Mos bre deri këtu!? Është momenti të lartësojmë dhe kryelartësojmë historinë dhe traditat tona, qytetarinë dhe kulturën tonë, artin e mbështetjes tashmë të dy ekipeve të qytetetit të Durrësit: Teuta dhe Goga Basket. Është detyrë qytetare ta bëjmë këtë.

Dhe besoj se do ta bëjmë!