Mediat në Francë vazhdojnë t’i qëndrojnë idesë që Kristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Juventusi dhe të transferohet te PSG.

Sipas “Footmercato”, mësohet se Ronaldo është i frustruar me eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe dëshiron ta provojë sërish fitimin e kupës me veshë të mëdhenj me një tjetër ekip. Raportohet se Jorge Mendes, që është agjenti i portugezit do takohet më drejtorin sportiv të PSG-së, Leonardon gjatë Ligës së Kampionëve në Lisbonë.

Situata mund të ketë ndryshuar me shkarkimin e Sarrit, dhe emërimin e Andrea Pirlos si trajner të ri te Juventusi.

Kontrata e Ronaldos me Juventusin skadon në vitin 2022, por paga e tij prej 30 milionë euro në vit po fillon të krijojë shqetësime në klubin bardhezi, pasi financat e Juventusit kanë pësuar rënie sidomos pas eliminimit në Champions.