Pas dy sezonesh Mauro Icardi mund t’i japë lamtumirën Paris Saint Germain. Kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia e COVID-19, ka lënë pasoja edhe te një klub shumë i shëndoshë finaciarisht si kampionët e Francës që të ardhurat nuk i kanë patur asnjëherë problem.

Gjithsesi gjatë kësaj periudhe humbjet janë të mëdha edhe te PSG dhe drejtori sportiv i parizienëve, braziliani Leonardo po mendon të sakrifikojë pikërisht ish-sulmuesin e Interit për të mbuluar disi koston e lartë financiare të rinovimit me yllin e skuadrës Kylian Mbappe, por edhe koston e blerjes së kartonit të talentit italian Moise Kean nga Everton, pasi duke parë paraqitjet e këtij të fundit me fanellën e kampionëve të Francës, Leonardo dhe presidenti Al-Khelaiffi kanë vendosur të blejnë kartonin e tij.

Mauro Icardi ka kontratë deri në vitin 2024 me PSG, por dëmtimet e shpeshta që e kanë mbajtur jashtë për pjesën më të madhe të këtij sezoni, po detyrojnë drejtuesit e PSG të privohen nga shërbimet e argjentinasit, pasi ish-kapiteni i Interit është një nga ata lojtarë që ka ende merkato edhe në kohë pandemie dhe lamtumira e tij për rreth 50 milionë euro do të lehtësonte disi bilancet e klubit në këtë periudhë , ku humbjet janë stratosferike.

Në këtë sezon me Parisin, Icardi është aktivizuar në total në 15 takime duke realizuar vetëm 6 gola në të gjitha kompeticionet. Juventusi qëndron në radhë të parë për të firmosur me ish-bomberin e Interit, por për Mauriton ka interesim edhe nga Premier League dhe La Liga. Nëse largohet Icardi, Leonardo do të përpiqet ta zëvendësojë me një tjetër argjentinas, pikërisht me El Kun Agueron i cili është në skadencë kontrate me Manchester City-n dhe mund të afrohet me parametër zero.