Koronavirusi prek edhe Interin, pasi mbrojtësi 21-vjeçar Alessandro Bastoni ka rezultuar pozitiv në testet e zhvilluara në grumbullimin më Italinë U21. Njoftimi është bërë nga Federata Italiane e Futbollit, që saktësonte se në testin e parë mbrojtësi kishte rezultuar negativ, por nuk kishte ndodhur e njëjta gjë në testin e dytë.Pikërisht për këtë arsye, mbrojtësi do t’i nënshtrohet një tjetër testimi sot dhe nëse do të konfirmohet sërish pozitiv, atëherë do të lërë menjëherë grumbullimin dhe do të kthehet në Milano për të qëndruar në karantinë.

Futbollisti iu bashkua Interit vetëm verën e kaluar, ndonëse zikaltrit kishin blerë kartonin e tij që në verën e 2018-ës, ndërsa në vetëm një sezon arriti të shndërrohet në një titullar të padiskutueshëm në formacionin e Antonio Contes.Megjithatë ky i fundit ka arsye për t’u shqetësuar tani, pasi nëse Bastoni do të konfirmohet pozitiv, do të jetë thuajse e pamundur që ai të jetë gati për derbin ndaj Milanit, i planifikuar për më 17 tetor.