Pasi mbrojtësi i Juventus, Daniele Rugani rezultoi pozitiv me Covid-19 menjëherë pas ndeshjes kundër Inter, në klubin zikaltër u frikësuan se edhe lojtarët e tij mund të ishin infektuar.

Për këtë arsye gjithë skuadra dhe stafi teknik u izoluan sipas protokollit mjekësor. Karantina 14 ditore ka përfunduar sot dhe sipas klubit interist asnjë prej lojtarëve apo stafit nuk ka shfaqur simptoma të koronavirus, çka e ka bërë të panevojshëm testin me tamponë.

Inter ka caktuar 25 marsin si datën për t’u kthyer në stërvitje, por asgjë nuk është e sigurt duke parë situatën e vështirë në Milano dhe Lombardi. Për këtë arsye, Antonio Conte dhe klubi zikaltër pritet të shtyjnë rinisjen e seancave stërvitore.