Inter, pas barazimi 0-0 të regjistruar në fushën e Juventus, po përgatitet për ndeshjen e Kupës së Italisë që do të luajë të martën në mbrëmje në “San Siro” kundër Pordenone-s. Skuadra e Serisë C ka bërë një fushatë të jashtëzakonshme në rrjetet sociale me rastin e këtij takimi. Friulanët kanë shkruar në profilin e tyre në Twitter se ata, ashtu si zikaltrit, nuk kanë qenë asnjëherë në Serinë B.

Sot, ky mesazh është përdorur nga Inter, që duket se ka dashur të thumbojë bardhezinjtë. Në fakt, slogani “Kurrë në Serinë B” përdoret nga tifozët zikaltër për të theksuar se klubi i tyre është i vetmi mes “big”-ëve të Serisë A që ka luajtur gjithmonë në kategorinë kryesore të futbollit italian.

Për shkak se ishin të zënë me përgatitjet për Juventus-Inter, përgjegjësit e rrjeteve sociale të Inter nuk i kishin kthyer akoma përgjigje mesazheve të Pordenone. Sot, pas ndeshjes së Torinos, Inter ka ndezur sfidën e së martës me këtë mesazh në Tëitter: “Kjo është ndeshja e skuadrave që nuk kanë qenë kurrë në B”.