Interi nuk duket shumë i kënaqur nga rendimenti i ofruar nga Antonio Konte, në këto muaj të parë në pankinën zikaltër, por ndoshta ajo që ka ndezur një pakënaqësi më shumë në rangjet e familjes Zhang, ka qenë deklarata e fortë e trajnerit pas barazimit me Hellas Veronën. Fakti që skuadra ka zbritur shkallët e renditjes në një mënyrë të frikshme, duke kaluar nga vendi i parë në të dytin dhe tashmë në të katërtin, zëra pranë selisë së Interit theksojnë se tashmë pozita e strategut leçez është e rrezikshme dhe pankina e tij mund të hidhet në erë menjëherë pas mbledhjes që “Gjenerali i hekurt” pritet të ketë me drejtuesit e klubit, pas përfundimit të këtij sezoni.Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, duke dëgjuar gazetarin Fabio Ravexani, në zyrat qendrore të “Suning” ka nisur që të përflitet edhe strategjia e bujshme, të cilën administratori Xhuzepe Marota e ka si kamerdaren e shpëtimit. E thënë shkurt, Antonio Konte do të përshëndesë nëse një tjetër ish-juventin, Masimiliano Alegri, pranon ofertën për të drejtuar Interin. Një rokadë vërtet bombastike kjo e lëshuar së fundmi nga media milaneze, e cila sigurisht që mund të marrë një formë më të plotë nëse Konte dështon edhe në objektivin europian, siç është Liga e Europës.

Fundja, dalja nga lufta për titullin kampion dhe eliminimi shumë i lehtë nga Kupa e Italisë përballë Napolit, kanë ndezur pakënaqësitë ndaj Kontes. Në të njëjtën kohë, edhe rendimenti i disa prej blerjeve të janarit si Eriksen e Mozes, të cilët nuk po japin efekt, janë një tjetër pakënaqësi në rritje për presidentin Stiven Zhang, ndaj alternativa Masimiliano Alegri ndoshta mund të ishte ajo e duhura për zikaltrit.Lidhja e fortë që “Konti Maks” ka pasur gjithmonë dhe ka ende me administratorin Xhuzepe Marota njihet nga të gjithë. Prandaj nëse Interi arrin që të bindë Alegrin për të stërvitur zikaltrit, edhe pse ky i fundit duket më shumë i projektuar drejt PSG-së, për Antonio Konten aventura zikaltër mund të përfundojë më shpejt seç pritej.