Edmilson nuk e shikon dot Mesin larg “Camp Nou”-t, por thotë se ai në këto momente nuk është aq vendimtar në fushën e lojës. Ish-lojtari i katalanasve për 4 vite shpjegon gjithashtu që Barcelona duhet të reagojë sepse ecuria në kampionat është katastrofë.

“Nuk e shoh Mesin larg Barcelonës dhe mendoj që do të qëndrojë, por duhet të kuptojmë çfarë është e mirë për Leon dhe për Barcelonën. Ndoshta duhet të arrijnë një marrëveshje. E dimë të gjithë që Mesi nuk është më ai i pesë viteve më parë. Nuk i bën më gjërat me topin, por gjithmonë mund t’i vendosë ndeshjet. Unë e kam thënë gjithmonë që futbollistët janë kalimtarë, ndërsa klubi mbetet përgjithmonë.Leo është një lojtar që ka bërë histori dhe duhet t’i thonë faleminderit, por futbolli vazhdon dhe jeta është e tillë. Sot jemi këtu, nesër nuk jemi. Klubi duhet të mendojë për të ardhmen dhe të përgatitet sepse gjërat janë shumë të vështira. Duhet një projekt konkret dhe afatgjatë për të shmangur dështimet e njëpasnjëshme. Barcelona ka gabuar shumë gjëra dhe merkatoja nuk ka qenë e shkëlqyer, prandaj ka ardhur momenti për reflektim”, përfundoi Edmilson.