Yonghong Li po hetohet nga Prokuroria e Milanos. Sipas asaj që raporton Corriere della Sera, ish pronari i Milan-it po hetohet për skemën e mashtrimit disa milion euro.

Pas blerjes së klubit kuqezi më 13 prill 2017 për 740 milionë euro (300 prej të cilave u huazuan nga fondi Elliott), kinezët nuk arritën të zbatojnë marrëveshjen me fondin amerikan, duke humbur në këtë mënyrë pronësinë e ekipit.

Hetimi nuk ka të bëjë me Berlusconin dhe ndryshimin e pronësisë së Milan, por për fushatën mediatike të biznesmenit kinez, i cili kishte deklaruar në disa raste se ishte në gjendje të zbatonte marrëveshjen ekonomike me fondin amerikan Elliott, përpara se të humbiste pronësinë e klubit kuqezi për shkak të mospagimit të 32 milionë eurove.

Prokuroria e Milanos, e cila vazhdon të grumbullojë dokumente në zyrat e Milan dhe konsulentëve të ndryshëm, kërkon të jetë e qartë: pse Yonghong Li humbi 698 milionë euro (midis blerjes dhe rritjes së kapitalit) që kishte investuar tek klubi për vetëm 32 milionë?

Dhe pse nuk e pranoi ofertat për të blerë ekipin, të paraqitura gjatë ditëve të fundit?