29 prill 2015 – Tashmë është zyrtare. Fondacioni "Fiera Milano" i ka dhënë miratimin e parë projektit të Barbara Berlusconit, për të ndërtuar stadiumin në pronësi të Milanit në lagjen Portello të qytetit. Megjithatë, është një "po" e dhënë bashkëngjitur me kërkesën për informacione shtesë, për të cilat kuqezinjve u janë lënë 6 javë kohë; një hap vendimtar për ta bërë klubin kuqezi fitues të konkursit për rikualifikimin e kompleksit të vjetër të Milanos.

Një vendim që pas rreth 3 muajsh zhbllokon gjithçka për të ndërtuar stadiumin në "Portello", të cilit duket se sapo i është dhënë "drita jeshile". Konfirmohen kështu pritshmëritë e ditëve të fundit, sipas të cilave projekti i Milanit ishte pretendenti për të marrë konfirmimin për rikualifikimin e zonës së vjetër të ekspozitave në Milano, ndërsa stadiumi do të jetë pikërisht përballë "Cassa Milan".

Projekti për stadiumin e ri, siç edhe është bërë i ditur, është tepër inovativ dhe i teknologjisë së lartë, i prezantuar nga grupi "Prelios" dhe i hartuar nga një ekip i Barbara Berlusconit, që ka bindur edhe skeptikët e mbetur.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/