Angli, 20 prill 2014 – Jose Mourinhos nuk i mbetet gjë tjetër veç ironisë. Fitorja e Premier Leagues pas humbjes 2-1 në Stamford Bridge me Sunderland-in është më larg se kurrë dhe tekniku nga Setubali megjithëse para mediave ishte i qetë në dukje nuk ndejti pa “thumbuar” arbitrin e sfidës. “Dua të them vetëm 4 gjëra. Komplimente futbollistëve të mi sepse dhanë gjithçka në fushë nga minuta e parë deri në atë të fundit. Komplimente Sunderlandit sepse fitoi ndeshjen. Komplimente arbitrit Dean sepse e drejtoi sfidën në mënyrë perfekte, komplimente gjithashtu edhe shefit të garave Riley në Federatën Angleze të Futbollit për mënyrën sesi e ka organizuar këtë sezon. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë”. Kështu është Jose Mourinho ironik dhe therës dhe pas vetëm 1 minute Special One la konferencën për shtyp. Edhe gjatë sfidës me “Macet e zeza”, Mourinho u përpoq të qëndronte i qetë, madje edhe kur Rui Faria humbi toruan, ishte vetë ai që qetësoi zëvendësin e tij. Faria u nxeh së tepërmi me kryesorin Dean kur ky i fundit akordoi penalltinë vendimtare që i dha fitoren miqëve dhe në këtë mënyrë u nxorr jashtë nga arbitri.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/