Katër sezonet në Angli dhe ndryshimi i disa trajnerëve nuk i kanë shërbyer Pol Pogbasë për t’u rikthyer në nivelet stratosferike të kohës së Juventusit. Pavarësisht rendimentit, bardhezinjtë çdo verë përfliten për rikthimin e francezit. Edhe “Oktapoli” thuhet se dëshiron të veshë përsëri fanellën e “Zonjës” e aq më tepër tani që në stol është ulur Andrea Pirlo, njeriu që ndihmoi shpërthimin e Pogbasë në sezonet torineze.Dyshja, së bashku me Vidalin, ka qenë një nga repartet më të forta në pesë nga nëntë titujt e fundit të Juves, ndaj klubi po mendon të rindërtojnë atë lidhje që u shkëput vite më parë.

Për këtë mision, Paratiçi e Nedvet synojnë të përdorin Duglas Kostën. 29-vjeçari, falë moshës, por edhe dëmtimeve të shumta, përbën një element në shitje për “Zonjën”, ndaj drejtorët po mendojnë t’ia ofrojnë Mançester Junajtidit. I vlerësuar 40 milionë euro, brazilianit do t’i shtoheshin edhe 40 milionë euro të tjera, për të bindur “Djajtë e kuq” që të lëshojnë Pogbanë.Oferta duket e majme, aq më tepër që vetëm 1 vit më parë trajneri Solskjaer ishte dakord për afrimin e Kostës në skuadër.

Në këto rrethana, dihet se vullneti i palëve është thelbësor, por më i rëndësishmi është mendimi i lojtarit, që në këtë rast do ta mirëpriste transferimin në Torino, ku përveç ish-shokut Pirlo, e pret edhe një mik i ngushtë si Paulo Dibala.Bisedimet nënvizohen se kanë disa kohë që kanë nisur, por për momentin po punohet vetëm në prapaskenë, ndonëse aksi Torino-Mançester është dhe pritet që të jetë shumë i nxehtë në këtë merkato vere, ndonëse më shumë sesa milionave, do u mëshohet marrëdhënieve burokratike pozitive që kanë pasur Juventusi dhe Junajtid, që nga koha e Lipit dhe Fergusonit.