Ishte e qartë që diçka do të ndodhte dhe të hënën shpërtheu. Skuadra e parë e Rajo Vajekanos vendosi që të stërvitej në shtëpi dhe jo në qendrën stërvitore, siç kishin planifikuar trajnerët dhe drejtuesit.

Prej disa javësh ka pasur bisedime të shumta mes klubit dhe lojtarëve për uljen e pagave të të gjithë punonjësve dhe këta të fundit nuk e kanë pranuar këtë gjë. Sipas gazetës “MARCA” klubi nuk ka propozuar diçka konkrete për këtë vendim dhe ata ndihen të fyer që presidenti ka vepruar sipas mendjes së tij.

Në formë proteste ndaj këtij vendimi, lojtarët kanë vendosur që të mos paraqiten në stërvitje duke krijuar në këtë mënyrë kaos dhe një situatë të paqartë për të ardhmen. Nuk dihet ende nëse do të ketë një takim për ta zgjidhur këtë problem që ka skuadra e Rajos.