E ardhmja e portierit Gary Maley në Livingston është lënë në mëshirën e tifozëve në rrjete sociale, pasi që klubi e postoi një anketë ku tifozët mund të votojnë se a duhet t’i jepet atij kontratë e re apo jo.Portieri 37-vjeçar është opsioni i tretë për pozitën e tij në Livingston, klubin që luan në ligën elitare të futbollit në Skoci, Premiership.Ai u transferua te “Luanët” në vitin 2016, kur ata ishin ende duke luajtur në Ligën e Parë, nivelin e tretë të futbollit në Angli, ndërsa më parë kishte luajtur edhe për Pumpherston dhe Broxburn Athletic.

Përderisa ai nuk po arrin të ketë minuta të shumtë loje nëpër ndeshje këtë sezon, ai është lavdëruar për kontributin që e jep në skuadër nga trajneri i tij, Gary Holt. Veteranit i përfundon kontrata këtë verë dhe klubi i Tony Macaroni Arena ka vendosur t’ua lërë në dorë tifozëve të ardhmen e tij, duke postuar anketë në rrjete sociale.

“Kjo mund të jetë risi në botën e futbollit, por ne po ua japim mundësinë që të vendosni për të ardhmen e portierit tonë, Gary Maley”, shkroi faqja zyrtare e Livingston në Twitter, mbi anketën që deri më tani ka rreth 130 mijë vota.“Meqënëse kontrata e tij përfundon muajin e ardhshëm, ne po e lëmë në dorë të tifozëve nëse duhet t’i ofrojmë atij kontratë të re apo jo”.

“Të shkojë apo të qëndrojë – vendosni ju”.Megjithatë, ky postim raportohet të jetë vetëm shaka nga mediumet britanike, pasi që edhe disa bashkëlojtarë të portierit kanë komentuar në të.“100 për qind duhet të shkojë, nuk mund ta shtyjmë klubin përpara me lojtarë si ai. Mirupafshim o burrë, kujdesu për veten”, shkroi mesfushori Marvin Bartley.“Ka ardhur koha t’i varësh dorëzat burrë, e ke pasur një rrugëtim të mirë. Kujdesu për veten, por ne duhet të ecim përpara”, shkroi ndihmëstrajneri David Martindale.