Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nderoi 10 sportistët e vitit në në një ceremoni të ditës së djeshme. Por ajo që bie në sy është mungesa e një emri të shquar sportiv, e veçanërisht në atë të peshëngritjes shqiptare, siç është shkodrani Erkand Qerimaj.

Ndoshta hija e dopingut që ka “pushtuar” krejtësisht një nga sportet më të suksesshme në Shqipëri, që çoi deri në shkarkimin e presidentit dhe të të gjithë drejtuesve të tjerë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes pak kohë më parë, pasi Romela Begaj u zbulua me doping në Botërorin e Shteteve të Bashkuara, mund të jetë një argument, gjithsesi i pakonfirmuar, për lënien jashtë të një prej medalistëve më të shquar shqiptarë.

Por, arsyet nuk janë të panjohura vetëm për mediet dhe opinionin e gjerë sportiv. I befasuar ka mbetur edhe vet Erkand Qerimaj, i cili ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale. “Të jesh sportisti më i mirë në Shqipëri për vitin 2017 në renditjen e Federatës Botërore të Peshëngritjes, të marrësh medalje në Europian (të argjendtë e të bronztë), të jesh medalist botëror si i treti në botë, nuk mjafton të futesh në 10 sportistët më të mirë në Shqipëri! Nuk e kuptoj, çfarë kriteresh duhen që të jesh në 10 sportistët më të mirë në Shqipëri?”, pyet peshëngritësi Qerimaj, i cili e mbyll me një “shuplakë” ndaj FSHP-së por edhe KOKSH-it.

“Turp për Federatën, por edhe për Komitetin Olimpik”, shkruan në postimin e tij Qerimaj.Erkand Qerimaj e mbylli në vendin e katërt Botërorin e Anaheimit në SHBA, por përfitoi medaljen e bronztë pasi rivali i tij rezultoi gjithashtu me doping.