Shqipëria ka nisur ditën e sotme seancën stërvitore në kuadër të përgatitjeve për përballjen e fundit të këtyre eliminatoreve për Euro 2020, atë ndaj Francës ditën e diel, në “Air Albania Stadium”.

Pas ndeshjes së djeshme, trajneri Edi Reja i ka ndarë kuqezinjtë në dy grupe. Ata lojtarë të cilët u aktivizuan me Andorrën janë duke kryer ushtrime fizioterapie me qëllim çlodhjen nga ngarkesat, ndërsa pjesa tjetër është duke vazhduar normalisht stërvitjen. Me grupin ka qëndruar sërish sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu po kryen ushtrime fizioterapie.

Ndërkohë, kuqezinjtë ditën e nesërme do të stërviten në impiantin e ri në kryeqytetet. Sakaq, pas barazimit zhgënjyes ndaj Andorrës, është vendosur që ditën e sotme të mos ketë konferencë për shtyp, ndërsa nesër do të flasin trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj.