Antonio Kontes nuk i pëlqen fakti se tifozët e Interit tani kanë pretendime shumë të mëdha ndaj skuadrës dhe që në pengesën e parë i kundërvihen asaj. Tekniku i zikaltërve, pas barazimit 0-0 ndaj Romës, ka qenë i mërzitur më shumë për vërshëllimat që kishte dëgjuar në “San Siro” ndaj ekipit të tij në këtë duel.

“Unë dëgjova disa vërshëllima në pjesën e dytë, kjo nuk është mirë, nuk ndihmon djemtë, nuk ndihmon Interin. Tifozi këtë duhet ta kuptojë, i gjithë stadiumi duhet të kuptojë që duhet të na mbështetë dhe nuk mund të bëjë kështu që me gabimin e parë. Nuk është e thjeshtë të luash në “San Siro”, shumë djem janë të rinj dhe kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve. Desha ta theksoja këtë pasi dua të mbroj grupin, nuk duhet të bëhemi mendjemëdhenj”, ishin fjalët e trajnerit pas duelit.