Pas një këmbënguljeje të gjatë, më në fund Mateo Kovaçiç ka fituar betejën e tij për t’u larguar nga Reali i madridit dhe paraditen e sotme është prezantuar në Londër te Chelsea.

Ai u transferua në huazim me të drejtë blerjeje, si pjesë e operacionit që çoi portierin belg Thibaut Courtois te madrilenët, për 35 milionë euro.

Vetë Kovaçiç nuk e fshehu entuziazmin e transferimit në Londër dhe tha se është maksimalisht i karikuar për t’u përshtatur sa më shpejt dhe për të fituar besimin e ambientit të “bluve”.

“Është një kampionat i panjohur për mua dhe natyrisht që do të jetë e vështirë, por jam i bindur se me punë do t’ia dal t’i bind të gjithë. Jam vërtetë i emocionuar dhe i lumtur që do të luaj për Chelsean dhe shpresoj të shpërblej besimin e drejtuesve dhe trajnerit”, deklaroi kroati.

Nga ana tjetër, Drejtuesja Operative e Chelseat, Marina Granoskaia vlerësoi aftësitë e Kovaçiç dhe shprehu bindjen se me cilësitë e tij, kroati është ideal për të zbatuar idetë e Sarrit në fushën e lojës.