Një ditë pas zbulimit të planit të presidentëve të klubeve më të mëdhenj të Europës të kryesuar nga ai i Real Madrid, Florentino Perez për krijimin e Superligës, ka ardhur reagimi i fortë i FIFA. Qeveria botërore e futbollit ka kërcënuar klubet dhe futbollistët se mund të përjashtohen nga çdo kompeticion zyrtar.

Sipas planit të hartuar prej kohësh, Superliga e Europës do të jetë një kompeticion që përfshin 15 skuadrat më të mëdha të kontinentit. Gjashtë prej tyre angleze (United, Liverpool, City, Arsenal, Chelsea e Tottenham), tre spanjolle (Real, Barcellona e Atletico Madrid), tre italiane (Juventus, Milan e Inter), dy gjermane (Bayern Munich e Borussia Dortmund) dhe një franceze (Paris SG). Këtyre skuadrave do t’iu bashkoheshin edhe pesë të tjera që do ta fitonin kualifikimin në fushë.

Ky turne do të siguronte 350 milion euro në sezon për secilën skuadër pjesmarrëse. Por ndryshe nga sa ishte lënë të kuptohej, FIFA është kategorisht kundër. Me anë të presidentit Gianni Infantino, bëhet e ditur se çdo klub apo futbollist që bëhet pjesë e kësaj nisme do të përjashtohet nga çdo kompeticion, përfshirë Kupën e Botës. Edhe UEFA e ka thënë fjalën kundër, pasi Superliga do të sfumonte ndjeshëm Champios.