Igli Tare është shpallur së fundmi nga shumë media në Itali si drejtori më i mirë sportiv, por derisa të arrinte në këto nivele ish-sulmuesi i kombëtares ka kaluar shumë peripeci, një prej tyre për shkak të Davide Astorit, lojtarit të Fiorentinës i cili dje ndërroi jetë.

Në merkaton e verës së vitit 2014, kur Astori në atë kohë 28-vjeç, ai ishte objektivi kryesor i Lazio-s për mbrojtjen. Negociatat dështuan dhe Astori zgjodhi të kalonte te rivalët e qytetit, Roma.

Për këtë që ndodhi tifozët ultras të Lazio-s bënë fajtor drejtorin sportiv Igli Taren. Situata shkoi deri aty sa tifozët i dërgonin kërcënime familjarëve të Tares dhe vetë tij. Duke parë rrjedhën e ngjarjeve drejtori sportiv mendoi të tërhiqej nga posti si dhe të ndryshonte numrin e telefonit.

Ishte bordi i Lazio-s që krijoi besim dhe më pas Tare transferoi mbrojtësin holandez Stefan De Vrij për të qetësuar disi situatën e krijuar.