Në këtë situatë alarmante të krijuar nga pandemia e koronavirusit është e pamundur të bësh plane afatgjatë. Nuk bën përjashtim as UEFA, që ka vendosur të ecë me parimin “shohim pastaj vendosim”.

Vetëm një javë më parë, qeveria europiane e futbollit vendosi që kampionatet dhe kupat duhet të mbylleshin brenda 30 qershorit, por koha dhe përhapja e virusit Covid-19 po punon kundër këtij afati. Asgjë nuk është e sigurtë dhe kjo konfirmohet nga vendimi i fundit i UEFA-s për të shtyrë pa një afat finalet e Champions League për meshkuj e femra si dhe atë të Europa League.

Kjo do të thotë se për momentin nuk mund të paracaktohen data të sakta dhe se gjithçka do të vendoset në një moment të dytë, pra kur të ketë garanci se situata është përmirësuar dhe rreziku është sfumuar. Se kur mund të ndodhë kjo, askush nuk e di, ndërsa qeveria europiane e futbollit po studion edhe një plan tjetër për shtyrjen e afatit për mbylljen e kampionateve.

Ky skenar pritet të skarifikojë numrin e ndeshjeve të Kupave, por siç jemi mësuar në këto kohë, vendimet do të merren në varësi të situatës.