“Mezi po pres ditën e nesërme për të takuar kolegët e mi në stërvitje”, ishin fjalët e Felipe Kutinjos në prezantimin ditën e hënë.Edhe pse në një ditë me shi, 1500 tifozë bavarezë erdhën në Sabener Shtrase për të ndjekur stërvitjen e parë të brazilianit me skuadrën e Bajernit të Mynihut.

Me të ishte edhe blerja tjetër, francezi Mikael Kysons. Plot 18 lojtarë kishte në dispozicion trajneri Niko Kovaç në stërvitjen e ditës së martë.Korentin Toliso kreu stërvitje të diferencuar në palestër, Leon Gorecka mungoi për shkak të një dëmtimi dhe Kristian Fryhtl dhe Torben Hofman ishin të impenjuar me skuadrën e dytë. Por sytë e të gjithë të pranishmëve ishin të fokusuar te Felipe Kutinjio. Shumë prej tyre kishin veshur fanellën me numrin 10, fanellë që do të mbajë veshur braziliani 27-vjeçar, i cili nxehmjen e kreu së bashku me Robert Levandovskin, me të cilin bisedoi disa minuta.

Nëse tema ka qenë skema e re në sulm, kjo nuk dihet. Pas stërvitjes lojtari është ndalur për të përshëndetur tifozët e ndodhur pas hekurave, me të cilët bëri fotografi dhe firmosi autografe të shumta. Të kënaqur nga sjellja e lojtarit sportdashësit u shprehën se impakti i parë me ish-lojtarin e Barçës ishte shumë pozitiv. “Ishte një djalosh i qeshur, jemi kënaqur shumë këto dy orë që kemi ndenjur këtu.

Shiu nuk na ka penguar për të ndjekur Kutinjon dhe lojtarët e tjerë. Në vetëm pak ushtrime që mund të shihnim, ra në sy teknika e jashtëzakonshme e brazilianit. Mezi po presim ta shohim në fushën e lojës”, ishin fjalët e një prej shumë tifozëve të pranishëm në Sabener Shtrase.