Asambleja e aksionarëve të Milanit ka aprovuar përfshirjen e Ivan Gazidis në këshillin administrativ të klubit kuqezi, duke e emëruar menjëherë më pas si administrator të deleguar.

Drejtuesi afrikanojugor ka qenë për nëntë vite tek Arsenali në Premier League, ku ka marrë vlerësime maksimale për mënyrën sesi i ka manaxhuar “Topçinjtë” e Londrës.Gazidis do ta mbajë këtë detyrë të paktën deri më 30 qershor të vitit 2020.

Do të jetë me efekt të plotë në këtë rol pas pak ditësh, pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet e reja statutore, siç ishte edhe zgjerimi i këshillimit administrativ nga 8 në 9 pjesëtarë.

“Jemi të lumtur me emërimin e Gazidis”, shkruhet në një komunikatë të Milanit. “Kjo është shenjë e qartë se pronarët e rinj kanë synime të rëndësishme që duan t’i arrijnë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë”.