Bota e futbollit vijon të jetë ende e shokuar për atë që ndodhi me fantazistin danez Christian Eriksen, i cili u rrëzua në fushë për shkak të një arresti kardiak, megjithatë nga klinika ku është shtruar, vijnë lajme mjaft pozitive.

Ka qenë vetë Federata Daneze e Futbollit, që nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se fantazisti ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe komunikon normalisht me familjarët që ka pranë, teksa vijojnë ekzaminimet e plota mjekësore.Më herët ka qenë mjeku i përfaqësueses daneze, që ka sqaruar se Eriksen arriti të flasë menjëherë pas ndihmës së parë në fushën e lojës dhe vetëm pas këtij momenti u dërgua në spital, për trajtim të specializuar.

Ndërkohë profesori Gaetano Thiene, ekspert i problemeve kardiake te atletët, e ka quajtur një mrekulli rikthimin në jetë të fantazistit danez, teksa është shprehur se falë ndihmës së parë, “Eriksen ka dalë nga paradhoma e vdekjes”.

“Këtë herë ka ndodhur një mrekulli. Kapiteni Kjaer dhe mjekët e kanë marrë Eriksen nga paradhoma e vdekjes dhe i kanë shpëtuar jetën. Një patologji e fshehtë do jetë më siguri, ndaj nuk mund të them nëse do të luajë sërish futboll, por Eriksen është gjallë dhe me këtë kemi fituar të gjithë”, u shpreh profesori Thiene.

Edhe administratori i Interit, Giusepe Marotta komentoi i shqetësuar atë që i ndodhi fantazistit danez dhe zbuloi se Eriksen kishte shkruar në grupin e chat-it të zikaltërve, ku kishte konfirmuar se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.