“Futbolli është një lojë e thjeshtë, 22 burra vrapojnë pas topit për 90 minuta dhe në fund fitojnë gjermanët”. Kjo është shprehja ikonë e Gary Lineker, ish-sulmuesit të Anglisë që e ka provuar në Botërorin 1990 në kurriz të tij përballjen me gjermanët.

Por pas ndeshjes së Gjermanisë mbrëmë kundër Suedisë, të fituar në sekondat e fundit të minutës së pestë shtesë, Lineker ka përditësuar shprehjen e tij duke treguar se ka mbetur edhe njëherë i mahnitur nga ajo që ka parë prej skuadrës gjermane.

“Futbolli është një lojë e thjeshtë, 22 burra vrapojnë pas topit për 82 minuta dhe gjermanëve iu përjashtohet një lojtar, kështu që 21 burra vrapojnë pas topit për 13 minuta të tjera dhe në fund, gjermanët gjejnë një mënyrë dhe prapë fitojnë”.

Ish-ylli anglez, i shndërruar në analist sportive prej disa vitesh ka postuar në Tëitter këtë shprehje që me shumë mundësi do të mbetet në historinë e futbollit po ashtu si e para.E në fakt, fitorja e Gjermanisë falë golit të Toni Kroos me një gjuajtje spektakolare ishte ndoshta një nga ndeshjet më dramatike të këtij Botërori deri tani.

Gjithsesi, Gjermania duhet të fitojë edhe ndeshjen e fundit kundër Koresë së Veriut për t’u kualifikuar, ndërsa nëse e mbyll e dyta në grup me shumë mundësi do të përballet me Brazilin në fazën e ardhshme, një finale e parakohëshme dhe një mundësi për Seleçaon që të hakmerret për humbjen turpëruese 7-1 të pësuar 4 vite më parë në shtëpinë e saj, në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2014.