Liverpuli i këtij sezoni është shumë larg atij të vitit të titullit kampion apo skuadrës e cila dominoi në Europë. Këtë e ka kuptuar mirë Jurgen Klop, i cili po e vuan këtë situatë dhe po shfaq shenja nervozizmi të dukshëm për sa kohë që skuadra nuk arrin të reagojë ashtu siç duhet e pritet prej saj. Kjo u pa qartë në ndeshjen që skuadra e tij humbi ndaj Bërnlit, pasi ai u përfshi në një zënkë me trajenrin kundërshtar, Shon Dajç, që në pushimin e ndeshjes. Duket se trajneri gjerman ishte shumë i nervozuar nga diçka që Dajç u kishte thënë lojtarëve të tij pas një zënke në fushë dhe për këtë arsye, iu vu mbrapa në tunelin që çon në dhomat e zhveshjeve, duke reaguar i nervozuar dhe duke i ulëritur atij.

Tekniku i Liverpulit, pas ndeshjes vendosi të mos tregonte se pse kishte lindur kjo përplasje dhe çfarë u tha.

“Nëse ai nuk flet për këtë çështje, atëherë as unë nuk do të flas për të. Unë nuk e nisa, por nuk është asgjë. Çdo gjë është në rregull”, tha Klop para gazetarëve në fund të sfidës.