Trajneri i kombëtares gjermane të futbollit Joachim Low është larguar i qeshur nga fusha e lojës pas fitores me përmbysje 2-1 ndaj Suedisë në takimin e vlefshëm për Kupën e Botës në “Rusi 2018”.

Një gol në minutën e 94-t nga ana e Toni Kroos i dha fitoren kampionëve të botës, që tashmë janë më pranë kualifikimit për në fazën tjetër.

“Ajo që vlerësoj më shumë nga kjo fitore është disiplina që lojtarët treguan në fushë, nuk u dorëzuan asnjëherë dhe besuam te fitorja deri në fund”, u shpreh Joachim Low.

“Asnjëherë nuk hymë në panik dhe nuk ishim nervozë në fushë. Mbajtëm një nivel përqendrimi të lartë. Gjithnjë besuam dhe ia dolëm mbanë edhe pse ishim me 10 lojtarë në minutat e fundit. Jam shumë i lumtur për Kroos për golin e realizuar. Ishtë një ndeshje me shumë emocione dhe nuk ishte e lehtë për asnjë nga djemtë të ruante qetësinë deri në fund, por kjo është disiplina gjermane”, tha Low, që karikon ekipin para ndeshjes së ardhshme: “Kemi edhe një takim ndaj Koresë, që duhet ta fitojmë. Njerëzit kanë besim tek ne dhe ne do t’ua shpërblejmë”.