Atletja shqiptare Luiza gega regjistroi një tjetër sukses në kampionatin ekipor Europian të Atletikës që po zhvillohet në Shkup. Sportistja kuqezi fitoi garën e 5 mijë metrave madje e bëri këtë duke vendosur dhe rekord kombëtar. 

Luiza Gega ndali kronometrin në kohën 15 minuta, 36 sekonda e 62 të qindtat, mjaftueshëm për të lënë pas rumunen Fisikoviçi dhe serben Jevtiç, duke merituar dhe ovacionet e publikut në stadiumin Filipi i dytë në Shkup.

Gega ka arritur të kapë në këtë turne, normën për Lojërat Oliompike të Tokios që do të zhvillohen verën e ardhshme në Japoni. Sportistja shqiptare do të jetë për herë të dytë si atlete e kualifikuar me normë olimpike, dhe jo me ftesë, një arritje që vlerëson përpjekjet e saj në të gjithë sezonin.