Angli, 22 prill 2014 – Merr fund ëndrra që kohët e fundit u kthye në mankth. David Moyes largohet nga stoli i Manchester United po mbushur ende një vit që nga marrja zyrtare e detyrës së vështirë për të pasuar Sir Alex Ferguson. Shefi ekzekutiv Ed Woodward zhvilloi një takim të shkurtër me trajnerin skocez duke marrë edhe vendimin për prishjen e kontratës. Moyes ra dakort me këtë vendim duke falënderuar stafin, ndërsa lojtarët nuk ishin të pranishëm në stërvitje. Disa orë më parë, mediat britanike publikuan lajmin se një vendim të tillë e mori familja Glazer që ka vendosur t’ia besojë skuadrën deri në fund të sezonit, uellsianit Ryan Giggs. Pika që mbushi gotën e një sezoni katastrofik ishte disfata në transfertën e Everton me rezultatin 2-0 që e largoi Man. United edhe nga zona e Europa League. Sipas zërave të kohëve të fundit, njeriu më i kuotuar për t’u ulur në stolin e “Red Devils” është Louis Van Gaal, i cili do ta mbyllë zyrtarisht aventurën me kombëtaren e Holandës në përfundim të Kupës së Botës 2014. Ndërkohë, Moyes që kishte një kontratë 6-vjeçare me shoqërinë, ka arritur marrëveshjen për një dëmshpërblim të pjesshëm. Ai u transferua nga Everton gjatë merkatos së verës dhe nën drejtimin e tij, Man. United regjistroi një nga sezonet më të dobëta të 25 viteve të fundit. Pavarësisht blerjeve të shtrenjta si Marouane Fellaini apo Juan Mata, Manchester United dështoi në kampionat ku mbetet 13 pikë larg zonës Champions, ndërsa u eliminua në çerekfinalen e Champions League nga Bayern Muenchen. Man. United u eliminua gjithashtu edhe nga FA Cup në raundin e tretë pas disfatës kundër Swansea, ndërsa në Capital One Cup nuk arriti të shkonte më shumë se gjysmëfinalja ku u eliminua nga Sunderland. Nën drejtimin e tij, Manchester United fitoi 25 takime, humbi 15 dhe barazoi 9.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/