Teuta nis 10 ndeshjet e fundit të kampionatit me një armë më shumë në dispozicion, pasi Dejvi Bregu duket se është më në fund në maksimumin e tij. Trajneri i durrsakëve, Edi Martini shpjegon se ishte i bindur se do të vinte ky moment dhe fantazisti vlonjat do të kthehej në formën më të mirë, duke i dhënë një armë më shumë ekipit.

Në “Fair Play” ai ka treguar se në klub ishin të ndërgjegjshëm që në ditët e para se lojtari do të vonohej për të gjetur formën maksimale, pas një vere mes mëdyshjesh për të ardhmen, por tani po i marrin frytet një lojtari të tillë cilësor.

“Të them të drejtën me Dejvin kam mbajtur kontakte në fillim dhe e kemi pritur deri një apo dy ditë para se të fillonte kampionati se kishte oferta nga jashtë e priste konkretizimin. Po të ishte një lojtar tjetër, nuk do e pritnim aq gjatë. Nuk ishte për faj të tij, menaxherët i thoshin sot këtu e atje. Ndoshta e  kemi pritur një muaj e ca për ta marrë Dejvin në ekip, po të ishte dikush tjetër do e kishim humbur urimin unë e klubi. Por duke pasur parasysh cilësitë e tij, por edhe për tipin e natyrën e tij, se është i mirë edhe jashtë fushës, vendosëm ta pritnim.E dinim që do të kishte kosto e jo vetëm financiare, e dinim që do të kishte probleme dhe do ta pritnim të vinte në formën më të mirë sportive. Edhe pse ka qenë vendimtar në ndeshjet tona, ka bërë gola edhe më parë, por në 3 javët e fundit ka qenë në një gjendje të jashtëzakonshme që këto gola që i shihni në ndeshje i bën në stërvitje. Ka një ritëm tjetër. Është edhe kolaudimi me shokët e skuadrës, e kanë përkrahur. Ishim të sigurt që do të vinte kjo ditë që të na e shpërblente”, tha Martini.