Teuta ka lënë pas startin e gabuar në kampionat ndaj Skënderbeut, pasi mposhti Tiranën dhe eliminoi edhe Kastriotin nga Kupa e Shqipërisë, ndërsa nesër do të presë në “Niko Dovana” një kundërshtar shumë të fortë në letër si Kukësi.
Trajneri Edi Martini doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli me mjaft respekt për kundërshtarin dhe pranoi se “djemtë e detit” i pret një përballje mjaft e vështirë nesër, por që duhet fituar.
Duke u kthyer pas në kohë, çfarë nuk shkoi në ndeshjen e parë ndaj Skënderbeut?
Në ndeshjen me Skënderbeun humbëm shumë raste dhe më pas u bëmë nervozë, por nuk është se e nënvlerësuam ekipin kundërshtar. Megjithatë tani është kaluar ajo ndeshje, pasi bëmë një ndeshje shumë të mirë më pas me Tiranën.
Si e vlerësoni përballjen nesër ndaj Kukësit?
E njohim mirë Kukësin, edhe pse ka ndryshuar shumë. Është një ekip mjaft i mirë dhe cilësor, ka një trajner të mirë dhe e dimë që do jetë një ndeshje tepër e vështirë. Gjithsesi, e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne kemi grupin kryesor, klubi është i pari, individi vjen më pas. Lojtarët duhet të japin maksimumin për aq minuta sa do të futen në fushë, megjithëse dëshira e çdo njërit është të luajë.
Karabeci e Daja kanë luajtur pak në këtë fillim sezoni…
Nuk dua të flas me emra, sepse parësor është ekipi. Për mua të gjithë lojtarët janë njësoj. Ata që do të bëjnë më mirë gjatë javës do të jenë në lojë. Të dy janë lojtarë mjaft të nevojshëm për ekipin, gjithsesi, për momentin ne kemi një ekip mjaft të mirë. Dy qendrat e mesfushës, si Aleksi dhe Avdyli, po bëjnë mjaft mirë.
Si është gjendja e skuadrës?
Kemi një dëmtim të Emiljano Vilës, i cili nuk u stërvit dje dhe pardje me ekipin. Duke njohur karakterin dhe grintën që ai ka, besoj se do të jetë në fushë nesër. Edhe nëse nuk do të jetë, kemi mjaft lojtarë të tjerë.