Ndali Kukësin dhe më pas mposhti Partizanin në dy ndeshje mjaft të vështira, por pikërisht kur pritej të konfirmonte vazhdimësinë, Teuta bëri një hap fals ndaj Flamurtarit, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në “Niko Dovana”.

Trajneri Edi Martini, në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport, pranon se skaudra e tij e kishte nënvlerësuar kundërshatrin dhe se nuk u fut me mentalitetin e duhur në fushën e lojës.

Vinit nga një moment mjaft i mirë, por gabuat në një ndeshje të lehtë në letër…
Nuk kam fjalë, pasi është një gabim i pafalshëm. Jemi munduar ta përgatisim ekipin, por ajo që treguam në fushë ishte si vetëvrasje.

Nuk ishit gati për një ndeshje të tillë?
E kishim fituar ndeshjen pa filluar. Iu kisha thënë që të jepnim maksimumin pasi çdo ekip mund të na krijojë probleme. Pikët e humbura me Flamurtarin dhe Luftëtarin mund të na kushtojnë shumë.

Skuadra shënon pak. Si mendoni ta zgjidhni problemin e sulmit?
Nuk kemi çfarë të zgjidhim, do të vazhdojmë me këta lojtarë që kemi. Këtu nuk është çështje goli, është çështje menatliteti, pasi ekipi tregoi një lojë të mirë dhe kjo është si vetëvrasje.

Ku gaboi skuadra sot?
Unë në këto momente të vështirë nuk dua të akuzoj lojtarë të veçantë, por ekipin. Në momente decizive kur na duhet fitorja, ne dështojmë. Ky është problemi i ndeshjes së sotme , pasi e nënvlerësuam kundërshtarin. Goli i Flamurtarit është një gol shumë i rëndë, i cili mund të na kushtojë shumë.