Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli pas barazimit në shtëpi ndaj Partizanit. Në analizën e tij tekniku shkodran bëri me dije se era e fortë në stadiumin “Niko Dovana”, u bë pengesë në pjesën e dytë, për të avancuar përpara.

“Bëmë gabim te goli i pësuar, pjesën e parë luajtëm mjaft mirë, e dominuam lojën. Në pjesën e dytë era ishte e fortë, nuk kishim mundësi të shkonim lart shumë. Në fund, mund edhe ta kishim pësuar. Ishte një lojë e fortë, një lojë rivalësh.

Era e fortë nuk të linte të qarkulloje topin. Bëmë shumë pasa gabim, nga mbrojtja në mesfushë. Ndikuan kushtet atmosferike. Duhet ta fitonim ndeshjen, duhet të ishim më të qetë.

Kjo skuadër është skuadër që nuk mund të rrijë mbrapa. Kërkojmë të vemë diktatin tonë në lojë dhe mos presim kundërshtarin. E tillë është krijuar fizionomia që vjet. Duhet të kemi pak më shumë presion. Është shumë e vështirë kur ekipet vijnë e mbrohen, që të presësh e të dalësh në kundërsulm.

Po të goditej topi nga portieri, duhet të ishim të kujdesshëm, sepse topi nuk shkonte përpara, nuk e lejonte era. Po të jesh në stadium ta shohësh erën, topi nuk ecën përpara”, u shpreh Martini.