Teuta-Partizani është dueli më i fortë i javës së 34-t. Ekipi durrsak kryeson Superioren dhe një fitore ndaj “Demave” praktikisht mbyll garën për titullin në favor të bregdetarëve. Trajneri i Teutës, Edi Martini foli në konferencën për shtypin rreth përballjes së nesërme (17:00).

“Po, e vërtetë, ndaj Partizanit është ndeshja më e rëndësishme e karrierës time si trajner. Jemi në një pikë që ne duhet të bëjmë çmosin që ta mbyllim kampionatin që këtë javë, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme.

Mbrojtja më e mirë me sulmin më të mirë? Unë them që jemi ekipi më i mirë. Jo, nuk do të luajmë në mbrojtje. Ne do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë, pavarësisht se një pikë mund të jetë e kënaqshme, por ne do të kërkojmë të fitojmë ndeshjen.Shpresojmë, po bëjmë stërvitje mjaft mirë. Djemtë mezi e presin këtë ndeshje, kështu që është një ndeshje që duhet ta fitojmë patjetër. Ne jemi në krye dhe normalisht që na presin ndeshje të rëndësishme dhe delikate. Janë ndeshje për t’u fituar, jo për të luajtur futboll të bukur. Do të kërkojmë nga sekondi i parë e deri në fund për të fituar ndeshjen. Partizani është në presion më tepër, ata duhet të fitojnë me patjetër. Ne luajmë për dy rezultate, ne jemi më të uritur për ta marrë këtë kampionat.Nga fillimi e deri në këtë moment që flasim, ne kemi derdhur shumë djersë dhe kemi bërë shumë sakrifica. Mendoj se ky qytet e meriton një titull në këto momente”, përfundoi trajneri shkodran i Teutës. 

Ne konferencen per shtyp ka folur edhe Arapi i cili eshte plotesisht i rekuperuar. Arapi deklaroi se Teuta hyn ne kete ndeshje per fitore dhe se kete sezon shtoi ai durrsaket shpresojne te realizojne endrren e te shpallen kampione.