Spanjë, 19 prill 2014 – Takimin e radhës Barcelona e ka në Camp Nou me Athletic Bilbaon, por vendin kryesor në konferencën për shtyp të Tata Martinos e zunë temat më të nxehta që lidhen me të ardhmen e tij, të Messit dhe situatën e trazuar te blaugranat.

“Nuk ndiej asnjë kënaqësi nga puna ime dhe nuk shikoj asgjë pozitive pas humbjes së dy titujve dhe të tretit që tashmë është shumë i vështirë. Në lidhje me të ardhmen time, çfarë ka ndodhur, nuk ka sjellë asnjë ndryshim, pra nuk kam asgjë për të komunikuar”, – tha Martino.

E ardhmja e trajnerit argjentinas vazhdon të qëndrojë pezull, në një kohë kur shumë zëra qarkullojnë për një largim të paimagjinueshëm të Messit. Martino tenton të shuajë çdo dyshim për fatin e Leos larg Barçës.

“Unë dhe 99% e njerëzve të botës së futbollit jemi të habitur që flitet për të ardhmen e Messit. Janë fjalë që nuk duhen marrë për bazë dhe me mendjen time, as që nuk mund ta imagjinoj Messin që karrierën ta mbyllë larg Barcelonës”,- tha trajneri i Barçës..

Në vijim, Martino pohoi se morali i skuadrës ka rënë sepse mori tre goditje të forta brenda pak ditësh, por forca është e madhe për të reaguar e për të luftuar deri në fund të sezonit, është një detyrim mbi të gjitha. Sikur të mos mjaftonin telashet, vuajtja e Barçës është bërë edhe më e rëndë me humbjen e Neymar. Veç brazilianit, tekniku argjentinas komentoi edhe çfarë pritet nga takimi me Bilbaon.

“Nuk jam optimist dhe e shikoj të vështirë rikthimin e Neymar brenda këtij sezoni. Kemi humbur një lojtar të kategorisë së lartë. Ndaj Bilbaos presim më shumë lojë në ajër, është karakteristikë e tyre. Izolimi i lojtarëve të rrezikshëm si Aduriz është zgjidhja për të marrë rezultatin që duam”,- tha në përfundim të konferencës për shtyp Martino.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/