Kapiteni i Kombëtares shqiptare Mërgim Mavraj është shfaqur krah trajnerit Panuçi në konferencën për shtyp nga Durrësi dhe fokusi i gazetarëve ka qenë te kriza aktuale dhe problemet në skuadër, me Mavrajn që është zgjatur pa fund me pyetjet e gazetarëve.

Çfarë pritet ndaj Uellsit?

“Presim shumë gjëra nga ndeshja kundër Uellsit. Pritet reagim, një lojë ndryshe dhe një rezultat i mirë, duke treguar vlerat tona, ato që na kanë bërë të ecim përpara vitet e fundit”.

Si vepruar me shokët pas ndeshjes?

Kemi biseduar pas ndeshjes, por edhe ditën pas ndeshjes. Nuk i kreva detyrat e mia si kapiten dhe si model. Kërkova falje, ndaj shokëve dhe trajnerit. Besoj se ndjesa ime është pranuar, kemi bërë gabime në të shkuarën, por duhet të jemi të bashkuar.

Largimi i Panuçit?

“Nëse ndodh kjo gjë, është e qartë që çdo pjesëtar i ekipit ka përgjegjësi. Nëse nuk i kryejmë si duhet porositë e trajnerit, natyrisht që ndikojmë në përkeqësimin e situatës. Më ka dhembur në shpirt kur dëgjoja në stadium tifozët, që ishin kundër trajnerit. Duam të bëjmë të pamundurën për të rregulluar gjërat.

Pse nuk funksionon mbrojtja?

Mbrojtja nuk është asnjëherë fajtore e vetme, edhe pse ajo fajësohet kur pësojmë gol. Nuk i kemi treguar gjithë vlerat si skuadër, nuk kemi qenë në nivelin e duhur në dy ndeshjet e fundit.

Dëmtime, minuta të pakta e të rinj, çfarë mund të përmirësohet në mbrojtje?

Këto vendime, kush luan e kush ka përgjegjësi, janë pyetje që nuk më takojnë mua, sepse nuk është detyra ime të formoj skuadër për të ardhmen. Kemi shumë lojtarë cilësorë, edhe të rinjtë kanë cilësi dhe e ardhmja është e tyre, por nuk e parashikoj dot kur do luajnë ata.

A ka liderë kjo skuadra?

Prej 6 muajsh flasim për gjërat që na mungojnë, janë përmenduar të gjitha, karakteri, cilësia, lidershipi, janë shumë gjëra që nuk po i tregojmë. Ka shumë skuadra që nuk kanë një figurë qendrore, por kanë sukses, duke luajtur futboll të mirë. Besoj se na mungon besimi që të jep suksesi. Është e qartë që një lider të ndihmon shumë në situata të këqija, por ne jemi Shqipëria, nuk e kemi pasur kurrë një lojtar të vetëm që e nxjerr skuadrën nga vështirësitë. Vetëm dy lojtarë në botë janë të aftë që mund ta bëjnë këtë gjë.

A ka egoizëm në kombëtare?

Aspak, skuadra është shumë e bashkuar dhe trajneri e ka nën kontroll situatën.

Fundi i një cikli?

Ndoshta është kështu, por ç’duhet bërë, të ndalemi e të presim për cikël të ri? Puna duhet të vazhdojë, duhet pak kohë për rinovim, por gabojmë nëse krahasojmë skuadrat. Futbolli ndryshon, Shqipëria nuk është si ka qenë, e dimë të gjithë. Ndoshta duhet pak kohë që të kthehet Shqipëria e para pak viteve.

Po bëjmë hapa pas, a ka ndonjë arsye të qartë?

Nuk ka arsye fikse, ka shumë arsye. Rezultatet janë ato që ndikojnë në rënien në renditje, e vështirë të evidentosh diçka. Është momenti i duhur për të bërë analizat e duhura, kemi edhe një mundësi për të tentuar kualifikimin, pasi nisi kualifikueset e Europianit.

Një mesazh për tifozët, që i janë kthyer kundër trajnerit?

Në futboll nuk tregohet trimëria, nuk ka një person të vetëm që ka përgjegjësi për sukses apo dështim. Trajneri ka përkrahje maksimale nga ne lojtarët, nuk kemi asnjë problem me trajnerin dhe stafin, nuk ka pasur asnjë moment ku mund të dyshohet e kundërta. Ne luajmë për Shqipërinë, jo për trajnerin. Ne gabojmë, si në çdo vend të botës, por nuk ka lidhje trajneri, nuk është se bëhen gabimet për inat të trajnerit. Unë gabova ndaj Skocisë, por vetëm sepse kisha dëshirë të madhe të fitonim, të tregoja dëshirën për t’i bërë gjërat mirë.

Partneri ideal në mbrojtje?

Këto pyetje duhen zhvilluar paksa. Mënyra e lojës ndryshon tani, si nata me ditën.