Një paralajmërim me tone kërcënuese, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për një rinovim jo dhe aq të sigurt. Bëhet fjalë për Kylian Mbappenë, që ka kontratën në skadencë në 2022 dhe që tani për tani, nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë te PSG ku kanë nisur t’i peshojnë kritikat dhe debatet në lidhje me të.

Kampioni i botës, që i pëlqen shumë Realit të Madridit u shpreh pa lojëra fjalësh pas ciklit të impenjimeve me Francën.“Boll kam patur nga këto gjëra. Është një situatë që mund të influencojë edhe në vendimin për të qëndruar apo jo në Paris”.

Mbappe sulmohet në mënyrë të vazhdueshme për ndonjë ndeshje ku nuk vendos ose të paktën nuk garanton spektakël e gola me PSG-në. E njëjta gjë ndodh edhe me Francën. Pas fitores 0-1 ndaj Bosnjës, të firmosur nga Griezman, “L’Equipe” i ka dhënë një notë të ulët Mbappesë, duke i dedikuar një faqe me titullin: “Eklipsi i marsit”. Edhe një herë sulmuesi, të cilit Deschamps i besoi rolin e sulmuesit të pare, gaboi gjithçka. Bilanci është i pamjaftueshëm.

Të njëjtat tone zakonisht i dedikohen edhe nga mediet e tjera franceze sapo kryegolashënuesi i Ligue 1 përjeton ndonjë rënie me klubin. Ndaj ka ardhur dhe shfryrja e Mbappesë në intervistën e fundit ku u shpreh: “Nuk më bëhet më të flas për pozicionimin tim më të mirë në fushë, pasi ngre debate të panevojshme, që, kur zgjaten, bëhen të lodhshme, sidomos kur luan në një klub të vendit tënd. Për ata që luajnë jashtë, është pak më ndryshe. Unë jam gjithmonë këtu dhe flitet shumë për mua. Është një konteskt për të cilin isha i vetëdijshëm kur firmosa për PSG-në. Për të ardhmen, do të shohim, është e qartë se kjo situatë mund të ketë rëndësi në reflektimin tim për të ardhmen, por nuk është i vetmi element për t’u marrë në konsideratë. Për mua është e rëndësishme të ndihem mire, përditë, në vendin ku jam”.

Mesazhi transmeton edhe klimën e rëndë pariziene, që po peshon gjithnjë e më shumë te Mpappe që nuk ekspozohet edhe kur pyetet nëse PSG-në, këtë vit është më kompetitive se në të kaluarën duke u përgjigjur shkurt, “bilancet bëhen në fund të sezonit”. Klubi i emirit të Katarit, gjithsesi po punon gjithmonë për projektin e rinovimit dhe akordi mund të arrihet me përshtatjen e pagës në nivelin e Neymarit, që fiton 30 milionë euro neto në sezon. Në çdo rast, francezi shpjegon se ende nuk ka zgjedhur nëse do të largohet nga Parisi, duke deklaruar: “Kur të marr një vendim, do t’ua bëj të ditur”.