Teuta është rikthyer në vendin e parë të kampionatit pas ndeshjeve të djeshme, teksa durrsakët mposhtën Bylisin me rezultatin e pastër 4-0.

Tashmë, çdo gjë varet nga ata vetë duke qenë se kanë një pikë avantazh ndaj Partizanit ndjekës, ndërkohë që në Durrës, optimizmi është i lartë.Kjo vihet re edhe te mbrojtësi Blagoja Todorovski, i cili thekson se Teuta do të jetë kampionia e re e Shqipërisë.

“Karriera ime është e gjatë dhe kam fituar shumë trofe. Tani është radha të gëzoj me Teutën. Tani gjërat janë tërësisht në dorën tonë. Kemi një pikë më shumë se Partizani dhe duket një kalendar i mirë.Katër javët e fundit duken më të lehta për ne dhe nëse gjithçka shkon mirë dhe luajmë si më parë, Teuta do jetë kampione e Shqipërisë. Sa për mua, jam ende në formë të mirë. Jam i lumtur këtu në Durrës dhe kam kënaqësi të jem pjesë e Teutës. Shpresoj të jemi kampionët e rinj të Shqipërisë”, u shpreh Todorovski.