Lindon Selahi ishte risia e listës së Edi Rejës për 2 ndeshjet e muajit tetor ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Mesfushori i cili aktivizohet tek Tuente është thirrur për herë të parë me Kombëtaren A, teksa në konferencën e sotme për shtyp, u shpreh mjaft i lumtur për këtë thirrje. 20-vjeçari zbuloi se e ka kërkuar edhe Belgjika, por zemra e tij rreh vetëm për Kombëtaren kuqezi.

“E kam merituar të grumbullohem, por kur e kam parë ftesën te klubi kam qenë shumë i lumtur. E kam pasur ëndërr të luaja për Kombëtaren. Unë shpresoj që të luaj, por këtë e vendos trajneri. Do të jap maksimumin në stërvitje. Dy orë ka që kam ardhur, më kanë pritur mirë. Tani vjen Ramadani dhe Bare, kam luajtur me ta te Shpresat.Kur kam qenë i ri kam luajtur me Belgjikën sepse nuk më ka ftuar Shqipëria, por tani që më thirri Shqipëria e vendosa. Edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por kur e ndjen veten shqiptar, shkon 100% te Shqipëria.Ka pasur moment që nuk kanë qenë mirë por tani jemi mirë. Mendoj se kemi shans për të kaluar dhe në Turqi e Moldavi shkojmë për të fituar dhe për të luajtur mirë.Për sa i përket pozicionit tim, mund të luaj në çdo pozicion të fushës. Njësoj është për mua. Është sezoni i parë me Tuenten dhe po luaj mjaft mirë. Ëndrra ime është të luaj sa më shumë minuta dhe të luaj me Kombëtaren. Për sa i përket klubit kam ëndërr të kualifikohemi dhe të luajmë në Kupat e Europës”, u shpreh Selahi.