Stefano Sensi, njeriu i ndeshjes për Interin kundër Udinezes, konfirmon momentin e tij magjik, por edhe hierarkinë e të qenit për momentin lideri i formacionit të Kontes. Pas golit trepikësh me friulanët, i cili garanton edhe kreun solitar, blerja 25-milioneuroshe kujtojmë që shënoi gjithashtu në sfidën e parë kundër Leçes, por në të njëjtën kohë fitoi penalltinë me Kaljarin, e cila garantoi suksesin 2-1.Të gjitha këto e bëjnë normal lumin e komplimenteve për “xhuxhin” zikaltër.

“Jam i lumtur për golin, sepse është gjithmonë një emocion unik, kur e shënon përballë tifozëve të tu. Goli që realizova ishte diçka e përgatitur në stërvitje, por flas për lëvizjen që duhet të bëjmë në zonë, prandaj është edhe meritë e trajnerit Konte për tri pikët.Gjithsesi, duke lënë mënjanë anët pozitive të ndeshjes, duhet thënë gjithashtu që takime të tilla bëhen gjithmonë e më të vështira me kalimin e minutave. Prandaj, kur kemi në favor avantazhin, por edhe superioritetin numerik, duhet t’i mbyllim sa më shpejt, ndryshe rrezikojmë të dëmtojmë veten.Tani duhet thjesht të shijojmë këtë sukses të radhës, pasi e meritojmë, ndonëse nga sot nis sërish puna, pasi në mesjavë fillon Champions-i. Edhe në Europë do ta nisim në ‘San Siro’ dhe duam që të jetë një tjetër natë e madhe përballë Slavias. Shkurt, nga e marta e në vazhdim nis sezoni i vërtetë dhe  malorja e fortë për ne, prandaj ta largojmë euforinë nga vetja”.

Në fund, lidhur me krahasimin që e përndjek prej vitesh, si “Iniesta i ri”, duke qenë se në të kaluarën ka qenë pranë, por ka refuzuar Barcelonën, Stefano Sensi i ka idetë e qartë edhe në këtë aspekt: “Falënderoj tifozët dhe këdo për krahasimin me Iniestën, pasi ky është pa dyshim një kompliment i madh, një stimul më shumë, ndonëse unë kam qenë, jam dhe do të jem thjesht Stefano Sensi. Me këtë emër dua të shkruaj historinë time tek Interi”.