6nentor 2015 – Në Portugali nuk arrijnë ta gëlltisin disfatën e Sportingut të Lisbonës. 3 golat e pësuar nga Kampionët e Shqipërisë kanë rënë si një rrufe në qiell të hapur për luzitanët që nuk i kursejnë kritikat në adresë të skuadrës së drejtuar nga Jorge Jesus. Gazeta “A Bola” përqëndrohet te vështirësitë që po hasin bardhjeshilët në ndeshjet jashtë fushe. “Agjërimi jashtë fushe zgjatet në Europë me një humbje në Shqipëri”, shkruan gazeta më e madhe sportive në vend që propozon si foto kryesore dyluftimin e Bernard Berishës me një lojtar të skuadrës portugeze.

“Mais Futebol” shkon edhe më tej me kritikat duke mos u kursyer aspak ndaj skuadrës nga Lisbona: “Çfarë turpi!” shkruan në faqen e parë të versionit online media luzitane që e cilëson humbjen në Elbasan si një katastrofë të vërtetë. Për të përditshmen tjetër “Record”, zgjedhja e trajnerit për të hedhur në fushë të rinjtë nuk rezultoi një bast i fituar nga trajneri. “Record” e cilëson gjithashtu disfatën në Shqipëri si një film horror. Edhe “Jornal de Noticias” vë theksin në vështirësitë që hasi Sportingu. Sipas kësaj gazete, Luanët e Lisbonës vuajtën në fushë duke pësuar një humbje turpëruese.

/portali DurresLajm/