Durrës, 30 qershor 2014 – Dy lojtarë të tjerë i bashkohen Teutës, I pari është mesfushori i Llamkos Kosova, Leart Emini. 22-vjecari ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të tij. Në të kaluarën Emini ka luajtur edhe për ekipet e Hysit, Trepçës, Prishtinës dhe së fundi u shpall kampion i Kosovës me Llamkosin. Ishte vetë Emini që disa ditë më parë konfirmoi bisedimet me Teutën për mediat kosovare.

Ndërsa afrimi i tij u konfirmua edhe nga klubi durrsak. Emini është kosovari i dytë që i bashkohet Teutës, ku më parë u konfirmua Xhevdet Shabani nga Drita e Gjilanit. Po kështu drejtuesit e Teutës konfirmuan se është arritur marrëveshja edhe me mesfushorin peqinas, Endri Magani. Magani luan në dy pozicione, pasi përveç rolit të mesfushorit ai shpesh aktivizohet edhe si mbrojtës.

Endri është djali i trajnerit të Tiranës, Gugash Magani, i cili ka drejtuar edhe durrsakët. Me transferimin e Endri Maganit dhe Leart Eminit shkon në tetë numri i lojtarëve të rinj të afruar nga klubi këtë sezon. Në ditët në vijim në skuadër mund të afrohen të tjerë lojtarë. Para se grupi të niset për fazën përgatitore jashtë vendit, ekipi i drejtuar nga trajneri Hasan Lika pritet të marrë formë.

Nuk përjashtohet që edhe përgjatë fazës përgatitore me durrsakët të bashkohen lojtarë të tjerë. Pas disa ditësh qëndrimi në Durrës, grupi do të udhëtojë jashtë Shqipërisë për të vijuar fazën intensive stërvitore. Sllovenia, Bullgaria ose Italia janë disa nga mundësitë për zhvillimin e fazës përgatitore, gjë të cilën e ka komunikuar vetë klubi. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/