Patrice Evra ka hedhur akuza të rënda për racizëm ndaj Federatës së Futbollit të Francës, duke pretenduar se gjatë kohës së tij në ekipin kombëtar, lojtarët me ngjyrë janë trajtuar keq.

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit e përfaqësoi Kombëtaren e Francës nga viti 2004 deri në vitin 2015. “Nuk jam i detyruar t’i përgjigjem Noel Le Graet (presidenti i federatës franceze), jam i detyruar të flasë për Chateau (federatën franceze), ju e dini shumë mirë çfarë ndodh atje, sa letra raciste i pranojmë ne?” tha Evra në një video në Instagram.

“Në një letër thuhej ‘Didi merri majmunët tuaj dhe shko në Afrikë’, sa mesazhe të tilla i pranojmë? E prapëseprapë i fshehim. Unë i kam parë disa prej tyre”, tregoi ai. Sipas Evras, çështja e racizmit nuk është menaxhuar aspak mirë nga drejtuesit e FFF-së.“Ne kemi vende të caktuara për të ngrënë, por sa herë që vinin presidenti apo politikanët, çdo gjë ndryshonte. Isha i ulur në një vend, por papritmas më ulnin në fund të tavolinës, ku natyrisht uleshin Sakho dhe Sagna (dy lojtarë tjerë me ngjyrë).

“Ata i ulnin Hugo Lloris, Laurent Koscielny (dy lojtarë të bardhë) dhe presidentin në mes të tavolinës, por ata e dinin se kështu ishin rregullat e lojës, sepse kur presidenti donte foto me lojtarët duhej patjetër të ishin Lloris dhe Koscielny dhe jo Sakho e Sagna”, nënvizoi ai.