Në datën 16 dhjetor të viti 1899, në Milano u krijua një klub futbolli që ishte edhe klubi i parë i këtij qyteti dhe Herbert Kilpin, themeloi Milanin. Ngjyrat e përzgjedhura ishin e kuqja si djalli dhe e zeza si frika, simbole këto që edhe sot lidhen me klubin që njeh në arkiva 7 Liga Kampionësh dhe trofe të shumtë në Itali dhe jashtë. Këtë sezon, kuqezinjtë kremtojnë 120 vjetorin e themelimit por paraqitjet e bëra në fushën e blertë dhe pozicioni në klasifikim është shumë larg nga ajo që realisht pritej për kuqezinjtë. Ditën e djeshme, Milani arriti të fitonte me rezultatin 0-1 kundër Parmës ndërkohë që këtë fundjavë luan në transfertë kundër Bolonjës.

Sakaq, “Puma” ka krijuar një tjetër fanellë për Milanin që përkon me 120 vjetorin e themelimit. Ngjyra kuqezi mbetet e pandryshuar në fanellë ndërkohë që logoja dhe shkronjat e sponsorëve janë bërë në ngjyrë gold. Të njëjtën ngjyrë, do të kenë edhe numri në shpinë dhe mbiemri i futbollistëve teksa në shitje janë një numër i limituar fanellash të cilat do të shiten në paketë dhe që nga dita e sotme, ata janë të gatshme për porosi.