Një protestë e ashpër në përfundim të ndeshjes ndaj Beneventos i ka kushtuar shtrenjtë sulmuesit spanjoll të Juventusit Alvaro Morata, pasi u ndëshkua me karton të kuq dhe tani është pezulluar me dy ndeshje. Vendimi është marrë sot nga Gjykata Sportive, që pasi ka analizuar edhe shënimet e arbitrave për incidentin, ka vendosur ta pezullojë me dy ndeshje spanjollin, duke shtuar edhe më shumë telashet për Pirlon.

Morata humb kështu derbin ndaj Torinos, në plan për këtë fundjavë, por edhe transfertën ndaj Genoas fundjavën e ardhshme, dy ndeshje mjaft të rëndësishme këto për Juventusin, që nuk e ka nisur aspak mirë kampionatin.Sulmuesi spanjoll është i vetmi “pykë” në dispozicion të trajnerit Andrea Pirlo, i cili do të duhet të sajojë repartin e avancuar për dy ndeshjet e ardhshme, teksa gjasat janë që në krah të Cristiano Ronaldos të aktivizohet Paulo Dybala.