Angli, 23 prill 2014 – Nga transferta në Anfield te ndeshja e kthimit me Atletico Madrid në Stamford Bridge, janë vetëm dy ditë pushimi për Chelsean që veç lojës në fushë duhet të mendojë edhe për kalendarin. Jose Mourinho teksa shfryn siç ka bërë edhe më parë kundër drejtuesve të federatës, pohoi se po mendon që ndaj Liverpoolit të zbresë një skuadër më të dobët, në mënyrë që potencialin maksimal ta ruajë për sfidën e Championsit. “Nuk mund të vendos unë i vetëm sepse janë Abramovich dhe bordi i klubit më të rëndësishmit. Unë jam vetëm një copë trajner dhe nuk mund të bëj më shumë se kaq. Për mua, Championsi ka prioritet. Fakti që ndeshja me Liverpoolin luhet të Dielën nuk është problemi im, por i atyre që bëjnë kalendarin. Jemi skuadra e vetme angleze në Europë, ndërkohë që nga Spanja janë katër dhe atyre u krijohen të gjitha kushtet për të patur sukses”. 33% ishte zotërimi i topit nga ana e Bluve të Londrës, megjithatë The Special One këmbëngul se Chelsea nuk luajti për një barazim pa gola me Atleticon në Vicente Calderon. “Sigurisht që nuk është ky rezultati që kam dëshiruar para takimit, sepse një barazim pa gola nuk është pozitiv për një skuadër që ndeshjen e kthimit e luan në shtëpi”. Më tej Mourinho përgëzoi ekipin duke thënë se prodhoi një performancë solide që solli irritim në lojën e Los Colchoneros, ndërsa për sfidën e kthimit në Stamford Bridge, tekniku portugez u shpreh se do të vendoset nga detajet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/