Ka mjaftuar vetëm një “cicërimë” në rrjetet sociale e presidentit De Laurentiis, të mërkurën pasdite, për të mbyllur përfundimisht tri vitet e fundit të Sarrit në Napoli. Tri vite plot me duartrokitje kulmuan në rekordin e pikëve në Seria A, por pa ngritur dot në qiell edhe një trofe.

“Falënderoj Maurizio Sarri për përkushtimin e tij të paçmuar në futbollin e Napolit, që ngriti peshë qytetin dhe tifozët “azzurri” nëpër botë. Na dhuroi pa fund emocione, duke krijuar një model të të luajturi futboll, që u admirua kudo dhe nga të gjithë. Bravo Maurizio”, – shkroi presidenti në “Twitter”, duke përshëndetur ish-trajnerin.

Metoda e zgjedhur nga De Laurentiis për t’i dhënë duart nuk i ka pëlqyer trajnerit Sarri, që ka reaguar po në të njëjtën monedhë:

“Unë nuk e meritoja të likuidohesha duke shikuar televizor, nuk mund t’i gëlltis tri vite si asgjë”.

Tekniku nënkampion tashmë është nisur për në Toscana e tij, ku do të kalojë disa ditë në det, por me një “smartphone” në dorë.Sarri mbetet nën kontratë me Napolin deri në vitin 2020, por shpreson të gjejë një klub të gatshëm, që të paguajë klauzolën e lirimit prej 8 milionë euro deri më 31 maj. Në tryezë për momentin ka një ofertë të pasur të Zenit, por jo plotësisht bindëse për Sarri, i cili pret që Chelsea të zgjidhë mosmarrëveshjen me Conte për të gjetur një shtëpi në Londër.