Neki Abazaj, ky dëshmor i sportit

27/04/2012 - 00:00

Neki Abazaj me ekipin kampion të të rinjve të Teutës
<h4>Neki Abazaj me ekipin kampion të të rinjve të Teutës</h4>

 

Një vit më parë do të ndahej nga jeta trajneri i talentuar i boksit Neki Abazaj. Ai, që aq shumë kishte bërë për këtë sport dhe për “djemtë” e tij, boksierët e ardhshëm, kujtohet sot me nderim dhe respekt të madh

E premte, 29 prill 2011. Boksierët e rinj të Teutës po shkonin në Fier për të marrë pjesë në kampionatin kombëtar. Së bashku me ta ishte edhe trajneri 65 vjeçar Neki Abazaj. Kur u ofrua në sportin e boksit në një qytet të “huaj” si Durrësi, ai bëri një premtim: ”Dua të punoj me boksin në Durrës, ku traditat janë të hershme, por të lëkundura. Kam besim tek vetja dhe tek pasioni i fëmijëve dhe i të rinjve durrsakë, se së bashku do ta ringremë boksin”.

Dhe ju miratua dëshira. E kam parasysh këtë burrë të qeshur dhe fisnik, i cili me të marrë detyrën sa nuk fluturonte nga gëzimi. Neki Abazaj e dinte mirë, që e priste një punë e jashtëzakonshme dhe që fjalën e dhënë do ta mbante. Ai sillte ndërmend emrat e famshëm të boksit të këtij qyteti të “butë”, por me tradita në sportin e grushtit. Ilmi Reka, Martin Çeta, Hysen Sharra, Mustafa Allushi, Ymer Reçi, Selim Bardheti, Hekuran Shkaba dhe më të rinjtë Kreshnik Qato, Lutfi Gega, Shkumbin Shatrolli, Antonet Rrapushi, Alfred Idrizi etj.

Kishte besim se do të nxirrte shumë boksierë që t’u ngjanin atyre. Falë punës aktive që kreu, bashkëpunimit të ngushtë me emra të njohur të boksit durrsak, duke trokitur shkollë më shkollë, e duke biseduar vetë me të rinj pasionantë, arriti që brenda një kohe të shkurtër të grumbullojë rreth vetes mbi 100 boksierë. Ngriti ringun në parkun sportiv “Nako Spiru”, prej nga ku vinte jehona e largët e fund viteve 50-të, e ndeshjeve të paharrueshme të boksierëve durrsakë, që shkruan një histori lavdie e denjë për t’u kujtuar.

Në Patos kështu e kishte ngritur boksin: me punë, dashuri dhe pasion. Dhe në Durrës kështu po e ngrinte. Papritur ju shfaqën probleme në zemër dhe shkoi të kurohej jashtë. Por u kthye sërish pasi e kërkonin “fëmijët” e tij, ato djem boksdashës, që u veshi në duar për herë të parë dorezat magjike të këtij sporti trimash. Lodhje, përpjekje, besim dhe optimizëm.

Ai nuk ishte më trajner. Neki Abazaj u bë baba, për këtë gjeneratë të re të boksit në Durrës. Duhet të lexosh sitin e tij në internet me emrin “Neki Abazaj në zemrat tona”, të prekësh nga afër dashurinë e pakufi që tregojnë boksierët që i lindi dhe i rriti si të tillë. Në klubin shumësportesh Teuta, Neki Abazaj u kthye në figurën më të respektuar dhe më dinjitoze të njeriut të mirë, të përkushtuar, të një profesionisti konkurrues, të një burri i cili i bënte nder kujtdo që shoqërohej me të qoftë edhe disa minuta.

Atëherë çfarë ndodhi me 29 prill 2011? Në Fierin e tij të lindjes, bëhej kampionati kombëtar i të rinjve. Teuta e Durrësit kishte udhëtuar drejt Myzeqesë, me synimin për të fituar titullin kampion. Deri në këtë stad e çoi boksin durrsak Neki Abazaj. Një vit më parë se këtu, një grup boksierësh të fuqishëm kishin sjellë në Durrës titullin e kampionit të vendit dhe gëzimi qytetar kishte marrë dhenë. Mërgim Byberi, Enea Tola, Klison Beqaraj, Enton Kikrri, Faslli Selimi, Elton Cenaj etj. janë kampionë të dalë nga “shkolla” me emrin Neki Abazaj.

Janë me dhjetëra e dhjetëra boksierë të tjerë, që janë të “prodhimit”, të punës së palodhur të Neki Abazajt. Në këtë 29 prill të 2011-shit, po boksonte vogëlushi Ardit Aliaj me një boksier vlonjat. Nekiu po ndiqte ndeshjen i shqetësuar. Boksieri rival po bënte faull, por gjyqtari i ringut nuk po i tërhiqte vëmendjen.

Trajneri i prekur në kulm dhe duke dashur ta mbrojë boksierin e tij të shtrenjtë ngrihet me nxitim drejt ringut duke i bërë shenjë edhe gjyqtarisë kryesore dhe arriti të shqiptojë vetëm këto fjalë: “Ma ruani djalin, mos ma dëmtoni. Boksieri vlonjat po bën gabime”. Dhe në çast shembet në tokë. Një hemorragji e papritur cerebrale e kishte goditur Nekiun tonë. Rezultoi se dërgimi në spitalin e Fierit ishte i pa efektshëm.

Sapo bashkia e qytetit të Fierit, i kishte dhënë titullin “Mirënjohja e qytetit” dhe kjo e kishte prekur pa masë. Ishin bashkuar si degë të një peme: gëzimi për titullin, por edhe dhembja për djalin. Neki Abazaj shkoi për të fituar titullin kampion, por u kthye me një “titull” akoma më të madh, atë të pavdeksisë. Nga Mirënjohja e qytetit të Fierit, Neki Abazaj mori mirënjohjen e përjetshme të atyre njerëzve, që kurrë nuk do të harrojnë vlerat e asaj pune të jashtëzakonshme që bëri me boksin në Durrës.

Dhe ai që ndjeu dhembje më shumë se të gjithë, që derdhi lotë sa iu mbaruan ishte Ardit Aliaj, ai boksieri me emrin e të cilit profesori i nderuar dha jetën. Tek faqja e tij në internet “Neki Abazaj gjithnjë në zemrat tona” po bëhen shumë shënime dhe që të gjitha lidhen si lulet e një kurore në një pikë: Profesor Neki Abazaj na mungon shumë. Të japim fjalën që kurrë s’të harrojmë. T’i mbetesh për ne kujtimi më i bukur, më i mirë, më i paharrueshëm. Të faleminderit për gjithçka bëre për ne! Neki Abazaj  meriton të quhet me emrin simbolik: “Dëshmori i Sportit”.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Sandro Tonali do të jetë futbollisti i radhës që do t’i bashkohet Interit gjatë merkatos së kësaj vere.

Vdes në moshën 61-vjeçare, Gynter Mair, ish-portieri i Trentos në vitet ’80 dhe ’90 pas një shoku anafilatik që shkaktoi sulmi i disa gre

Trajneri Martini ka kohë ta përgatisë skuadrën deri më 27 gusht për ndeshjen me Beitar Jerusalemin.

Beitar Jerusalemi është një ekip shumë i fortë dhe ndaj tij duhet shumë kujdes.

Duke parë ecurinë në sezonin e fundit të skuadrës së Beitar Jerusalemit, rivalëve të Teutës në Ligën e Europës, vihet re se lojtarët e su

Antonio Conte i kënaqet kualifikimit në gjysmëfinale të Europa League dhe lojës së skuadrës së tij, edhe pse e ka ndonjë rezervë të vogël

Lacio ka tentuar sërish t’i ofrojë Veronës një ofertë të kënaqshme për të marrë mbrojtësin Marash Kumbulla.Sipas “Il Messaggero”-s, klubi

Për vite me radhë ishte ndër protagonistët më spektakolarë të Serisë A, tani Alvaro Recoba nis një aventurë krejt të re, shumë larg nga b