Sporti i çiklizmit merr një goditje të rëndë që mund të hapë një spirale të gjatë skandalesh si ajo e disa viteve më parë me Lance Armstrong, miti i të cilit u rrëzua nga çështja e dopingut. 4 herë fituesi i Tour de France, Chris Froome rezulton pozitiv me një substancë të ndaluar. Analizat e gjakut të marrë gjatë Vueltës së Spanjës kanë evidentuar përmbajtje të lartë të Salbutamolit.

Kjo është një substancë që ndihmon rrugët e frymëmarrjes dhe sipas federatës ndërkombëtare, është gjetur në gjakun e britanikut gjatë Vueltas së fituar vitin e shkuar.

Federata Ndërkombëtare thekson se edhe kundëranalizat kanë dalë pozitive dhe pritet që shumë shpejt të merret një vendim për çiklistin britanik i cili ka dominuar këtë sport gjatë viteve të fundit dhe akuzat për doping i ka kundërshtuar gjithmonë.

Britaniku ka deklaruar përdorimin e ilaçit TUE për shkak të astmës dhe është ikërisht ky ilaç që ka përmbajtje të Salbutamolit, por gjithsesi vlerat e gjetura në gjakun e tij nuk e justifikojnë sepse limiti është 1000 nanogramë për mililitër ndërsa Froome ka pasur dyfishin e kësaj sasie.

Kampioni i gjakut është marrë në datën 7 Shtator në përfundim të etapës së 18 të Vueltas dhe nëse Froome dënohet, atëherë titulli i garës spanjolle do të shkonte për italianin Vincenzo Nibali.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i skuadrës Sky që del në mbrojtje të çiklistit duke theksuar se Froome vuan nga astma dhe është i detyruar të përdorë ilaçin por vendimin përfundimtar pritet ta marrë federata ndërkombëtare që me shumë mundësi mund ta pezullojë britanikun deri në 1 vit nga çdo aktivitet, çka do të thotë se ai mund të humbase Giro D’Italia, Tour de France por edhe Vueltan e Spanjës.