Roma u mposht dje nga Sampdoria me shifrat 2-0 dhe humbi totalisht shpresat për të zënë një vend në zonën e Europa League në fund të sezonit. Në fushë nuk ishte kapiteni Lorenzo Pellegrini.

Mesfushori vendosi të mos udhëtojë me skuadrën për këtë ndeshje, megjithëse ishte një nga më të rëndësishmet e sezonit për shkak se bashkëshortja e tij lindi djalin e dytë të familjes, Thomas. Pas këtij vendimi të Pellegrinit fansat kanë shpërthyer në kritika për të dhe e kanë bërë këtë në seksionin e komenteve të fotos, ku shfaqeshin duart e tij, partneres dhe Thomasit.

“Urime zonjës, por tani lëre shiritin e kapitenit sepse nuk të përket; Shiriti t’i kthehet Dzekos, ose ta marrë Mancini; Do ta kisha mbrojtur Lorenzon në një ndeshje normale, por në të tilla kushte, si kapiten, nuk do duhej asnjëherë ta linte ekipin në një ndeshje aq të rëndëisshme për asnjë arsye në botë; Qëndro në shtëpi s’ka problem. Sezonin e ardhshëm nuk duam të të shohim te Roma”, ishin disa nga komentet.